Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, sot e prezantoi portalin e ri për të dhënat e hapura. Në debatin publik për përfitimet nga rritja e transparencës në institucione u drejtuan ministri i shoqërisë informatike dhe administratës Damjan Mançevski, ambasadorja e Britanisë së madhe, Rejçel Gallovej, ministri përgjegjës për komunikime, transparencë dhe llogaridhënie Robert Popovski, Neda Maleska nga Qendra për menaxhimin me ndryshime dhe Ljupço Vangelovski nga MASIT (dhoma e tregtisë).
Ambasadorja Galovej, duke ndarë përvojat personale nga shfrytëzimi i të dhënave të hapura në Britaninë e Madhe, foli për rëndësinë e këtij procesi dhe mundësitë të cilat dalin pas hapjes së të dhënave.
,,Kur një qeveri publikon shumicën e të dhënave që posedon, tregon se nuk i fsheh nga qytetarët. Publikimi i të dhënave është një parakusht për të pasur një Qeveri ku qytetarët kanë qasje të lehtë dhe nga e cila marrin shërbime cilësore. Kur qytetarët në një vend mund të gjejnë informacione për shkollat ku duan t’i regjistrojnë fëmijët e tyre dhe se si këto shkolla janë të listuara, apo të dhëna për punonjësit e shëndetësisë dhe çmimin e shërbimit që ata ofrojnë, atëherë qytetarët kanë informacione të mira, se si shpenzohen paratë e tyre dhe se si sistemi mund të japë rezultate më të mira për ta. Nëpërmjet kësaj qasjeje promovohet kultura e hapjes, ku qytetarët janë të përfshirë në mënyrë aktive dhe mbahet llogari për ta. Në këtë mënyrë, qytetarët i perceptojnë qeveritë si të efektshme, “theksoi ambasadorja Gallovej.
Ministri Popovski iu referua përpjekjeve të Qeverisë për rritjen e hapjes dhe transparencës së të gjitha institucioneve.
,,Për herë të parë në historinë politike të Republikës së Maqedonisë, Qeveria, me vet-iniciativë, punën e saj e vuri në dukje për qytetarët. Për herë të parë, publiku ka mundësinë të monitorojë dhe analizojë shpenzimet e fondeve të qytetarëve nga ana e zyrtarëve qeveritarë. Por kjo ishte vetëm një segment. Me hapjen sistematike dhe të organizuar të të dhënave, Qeveria e Republikës së Maqedonisë synon të rrisë efikasitetin e brendshëm të institucioneve shtetërore dhe të mundësojë krijimin e shërbimeve të reja, burimeve të analizës, përgatitjen e raporteve, krijimin e iniciativave dhe aktiviteteve të tjera të cilat mund t’i frymëzojnë të dhënat e hapura. Shpalosja proaktive e të dhënave do t’i zvogëlojë kërkesat dhe do të lehtësojë qasjen deri te informatat me karakter publik. Koncepti i të dhënave të hapura është qëllim i cili frymëzon, qëllim i cili na afron me shoqëritë e bazuara në njohuri, në burime të hapura për të gjithë, në interes dhe në dobi të komuniteteve”, tha ministri Popovski.
Aktualisht në portalin e të dhënave të hapura janë paraqitur 111 sete të të dhënave nga 42 institucione. Ministri Mançevski i paraqiti mundësitë teknike të cilat i ofron portali, si dhe pjesa e të dhënave të cilat tani më janë të publikuara.
“Nëpërmjet portalit të të dhënave të hapura duam ta përmirësojmë shpërndarjen e shërbimeve dhe efikasitetin e sektorit publik. Ai gjithashtu mundëson rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve gjatë hartmit të politikave dhe analizës së rezultateve. Me një fjalë, nëpërmjet portalit të të dhënave të hapura bartim transparencën dhe hapjen e institucioneve në një nivel më të lartë. Hapja e të dhënave në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pozitive do të ndihmojë edhe në përpjekjet për të luftuar korrupsionin. Gjithashtu, me pak inovacion, jep mundësi për hapjen e bizneseve të reja“, vuri në pah ministri Mançevski. Siç informoi ai, një pjesë e të dhënave në portal u publikuan për herë të parë, një pjesë janë të publikuara më parë, por tani janë të disponueshme në një vend, të sistematizuara edhe në format i cili lehtë është i kuptueshëm, por lë hapësirë për analizë të mëtejshme dhe shfrytëzim plotësues.
“Portali i të dhënave të hapura është materie e gjallë dhe vazhdimisht do të rritet numri i institucioneve dhe numri i të dhënave. Do të jetë proces i cili asnjëherë nuk do të përfundojë. Kjo do të thotë dhe presion shtesë nga publiku për transparencë më të madhe dhe hapje të të dhënave. Kjo është e shëndoshë, do t’i mobilizojë institucionet, do ta rrisë ndërgjegjen për rëndësinë e transparencës tek të gjitha institucionet dhe në fund do ta bëjë pushtetin më të mirë. Në këtë pjesë, dua të potencoj se secili prej jush, thjesht me një regjistrim mund të jep vërejtje, komente, dhe çka është më me rëndësi mund të kërkojë të publikohen të dhëna, të cilat deri atëhere nuk kanë qenë të publikuara. Kjo mundësi për ndërveprim u mundëson të gjithëve të jenë pjesë e këtij procesi dhe bashkërisht ta bëjmë këtë portal një mjet nga i cili të gjithë do të kemi përfitime”, përfundoi ministri Mançevski.
Në fjalimin e saj Neda Maleska, nga QMN-ja, potencoi dimensionin lokal të portalit të të dhënave të hapura, si dhe përfitimet për organizatat qytetare.
,,Krahas rritjes së transparencës, me portalin e të dhënave të hapura rritet dhe njohuria. Kjo është me rëndësi të veçantë gjatë zhvillimit të bizneseve të reja, por edhe gjatë analizave të organizatave qytetare. Në këtë mënyrë rritet dhe presioni ndaj punës së institucioneve dhe me këtë hartohen dhe politika më të mira. Të dhënat të cilat i krijojnë bashkësitë lokale dhe publikimi tyre do të kontribuojnë edhe drejt rritjes së zhvillimit lokal”, – tha ministrja Maleska, duke ndarë përvojat e saj edhe nga Britania e Madhe dhe nga komunat në Maqedoni.
Një nga përfitimet kryesore nga të dhënat e hapura është hapja e bizneseve të reja dhe zhvillimit të sipërmarrësisë. Rreth këtyre aspekteve të procesit, foli Ljupço Vangelski nga MASIT.
,,Teknologjitë e reja dhe të dhënat e ndryshojnë jetesën e përditshme. Ato janë bazë e zhvillimit. Këtu dua të potencoj se mënyra në të cilën janë të publikuara të dhënat është shumë i rëndësishëm dhe mundëson përpunimin e mëtejshëm. Gjithashtu, përditësimi i të dhënave për ne si biznese është shumë i rëndësishëm. Portali i të dhënave të hapura lë hapësirë të madhe për zhvillimin e bizneseve të reja dhe atë do ta arrijmë me bashkëpunimin e përbashkët në periudhën e ardhshme”, theksoi Vangelski.
Strategjia dhe portali i të dhënave të hapura janë të përgatitura në kuadër të projektit ,,Mbështetja e procesit të reformave në administratën publike”, implementuar nga Qendra për menaxhim, financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, mbështetur nga Ambasada britaneze në Shkup.